Dyshja Paolo Dybala-Tammy Abraham mbajnë ende gjallë objektivin e Romës për t’u rikthyer në ‘Champions League’. Kryeqytetasit morën një fitore shumë të rëndësishme në javën e 18 të ‘Serie A’, teksa mposhtën 2-0 Fiorentinën në ‘Olimpico’. Ishte Dybala ai që kompletoi një dopietë, me dy asiste të Abraham: një në minutën e 40 dhe një të 82-ën. Gjërat u bënë të thjeshta për skuadrën e Jose Mourinho-s, pas daljes me karton të kuq të Dodo që në minutën e 24-t, duke lënë Fiorentinën me një lojtar më pak. Goli i parë i sfidës ishte ai që tërhoqi më shumë vëmendje, me Dybala-n që numëron 28 gola nga jashtë zone në ‘Serie A’ që nga 2015-a dhe në kampionatet kryesore europiane, vetëm Lionel Messi ka bërë më mirë përtej 16 metrave.
Atalanta ndërkohë shkatërroi 8-2 Salernitanën në Bergamo, duke vendosur disa rekorde me paraqitjen ndaj të besuarve të Davide Nicola-s. Boga, Scalvini, Koopmeiners, Ederson, Zortea dhe dy herë Lookman ishin autorët e golave, me ‘la Dea’-n që u bë e para skuadër në ‘Serie A’ në 27 vite, që shënon 8 gola në një ndeshje, duke barazuar rekordin e Interit në prill të 1996-ës, që me të njëjtin rezultat, triumfonte ndaj Padova-s. Po ashtu, që nga mbërritja e Gian Piero Gasperini-t në krye të stolit në 2016-ën, Atalanta numëron 4 ndeshje ku ka shënuar 7 gola ose më shumë, diçka që skuadra si Milan, Lazio, Inter, Napoli apo Juventus e kanë realizuar vetëm një herë në këto 7 vite.
Edhe Lazio nuk e pati shumë të vështirë ndaj Sassuolo-s, duke shënuar nga një gol për çdo pjesë për triumfin 2-0 në Emilia-Romagna. Zaccagni dhe Felipe Anderson ishin ata që gjetën rrugën e rrjetës, ndërkohë që lajmi i keq për trajnerin Sarri është dëmtimi i sulmuesit kryesor, Ciro Immobile. Lazio, Atalanta dhe Roma janë tashmë në kuotën e 34 pikëve, vetëm 3 më pak se sa Inter e Juventus, që mbajnë vendin e tretë e të katërt, duke bërë që lufta për zonën ‘Champions’ të ndizet akoma më shumë.