Serie A, Atalanta, Hojlund tërheq vëmendje; Scalvini ëndërron ‘Premier League’

Sport

Rasmus Hojlund është kthyer në zgjedhjen e parë të trajneri Gasperini për sulmin e Atalantës. 20-vjeçari danez ka dhuruar performanca mjaft të mira përgjatë këtij sezoni, duke lënë në stol emra si Duvan Zapata apo Luis Muriel, teksa ka gjetur një bashkëpunim mjaft të mirë me Ademola Lookman. Kjo ka bërë që në drejtim të tij të fillojnë të shfaqin interes disa klube të mëdha, me Napolin që e mendon Hojlund si pasuesin e duhur të Victor Osimhen, në rast se nigeriani do të largohet. Duke parë sezonin që po bën Osimhen, Napoli pret që në verë të vijnë oferta të rëndësishme në drejtim të sulmuesit 24-vjeçar. Nëse ai vendos të largohet, gjithmonë për një ofertë të rëndësishme, atëherë kryesuesit e ‘Serie A’ mendojnë të lëvizin drejt Hojlund. Danezi u ble nga Atalanta për 17,2 milionë euro gjatë merkatos së verës, me bergamaskët që nuk kanë ndërmend të hyjnë në bisedime për shitjen e tij, pa një ofertë fillestare prej 40 milionë eurosh.

Një tjetër talent i zikaltërve që po monitorohet nga ana e klubeve të mëdha është edhe Giorgio Scalvini. Mbrojtësi shihet si një investim i rëndësishëm për skuadra si Milan, Inter e Juventus, por vetë 19-vjeçari ëndërron që një ditë të bëhet pjesë e ‘Premier League’-ës. Scalvini u shpreh për mediat se nuk merret me zërat e merkatos, pavarësisht se ndihet krenar që emri i tij lidhet me klube të rëndësishme të Europës. Ai për momentin është i përqëndruar tek Atalanta dhe sezoni i tij me bergamaskët, por në të ardhmen, nuk e mohoi se do të donte të provonte vlerat e tij në kampionatin anglez.