Italia vijon të mbetet një nga shtetet që duhet të përballojë ashpër luftën ndaj Koronavirusit, si një nga vatrat kryesore të pandemisë. Megjithatë, kohët e fundit duket se situata ka nisur të qetësohet pak. Përderisa edhe numri i të prekurve e viktimave është më i vogël. Kjo ka bërë që qeveria e Italisë të shtyjë ‘izolimin’ e qytetarëve të paktën deri më 3 maj, por duket se do të ketë edhe disa përjashtime. Me pak fjalë, futbollistët e Serie A mund të kthehen në fushat e blerta para 3 majit. Ata do të nisin stërvitjen, ku fillimisht do t’i nënshtrohen disa testeve fillestare për virusin “Covid 19”. Siç raporton “Sky Sport Italia”, të gjitha ekipet priten të nisin seancat stërvitore rreth kësaj date të fillimit të muajit tjetër, kur është parashikuar të ketë një stabilizim të situatës. Pikërisht është ‘Sky Sport Italia’ që shkruan se të gjitha skuadrat e Serie A pritet të kthehen në stërvitje më 3 maj. Federata Italiane e Futbollit, më herët ka marrë një protokoll nga qeveria ku tregohet se si duhet vepruar me lojtarët, pas rikthimit në seancat stërvitore.