Seria A bëhet gati për edicionin 2022/23…

Sport

Teksa beteja për titullin kampion po bëhet më interesante se asnjëherë tjetër, ndërkohë që janë luajtur 26 javë, Serie A po mendon për edicionin e ardhshëm, atë 2022/23.

Këtë herë, puna ka filluar shumë shpejt, për faktin se në mes, do të zhvillohet Botërori. Në këto rrethana, sezoni tjetër, do jetë i ndryshëm nga ata të zakonshmit, pasi parashikohet të jetë më i gjatë.

Madje, në Serinë A, janë përcaktuar datat e fillimit dhe përfundimit të tij. Drita jeshile pritet të ndizet në 13 dhe 14 gusht të këtij viti, ndërsa do të përfundojë në 4 qershor të 2023-shit. Vendimi tanimë është marrë, ndërsa pritet vetëm zyrtarizimi i tij nga Federata Italiane e Futbollit. Si pasojë edhe kalendari do të jetë më i ngjeshur. Përveç fundjavave, kampionati do të luhet në mesjavë, duke u alternuar edhe me kompeticionet europiane, që zhvillohen po në mesjavë.

Kupa e Botës do të nisë në 21 nëntor, ndërsa finalja është përcaktuar në 18 dhjetor. Në mënyrë që lojtarët të kenë mundësi të zhvillojnë parapërgatitjet me përfaqësueset e tyre, kampionatet do të ndërpriten në dyjavëshin e parë të nëntorit. Sa i përket Serisë A, 13 nëntori është data kur kampionati do të pushojë, për t’ia lënë vendin më pas një evenimenti sikurse është Kupa e Botës, Katar 2022.

Më pas, Serie A, pritet të rikthehet në 5 janar. Thënë ndryshe, kampionati italian do të ndërpritet 53 ditë. Sa i përket futbollistëve, të cilët nuk do të aktivizohen me kombëtaret e tyre, ata do të transferohen në Amerikë, aty ku do të zhvillojnë seanca përgatitore për të ruajtur formën fizike, por gjithashtu edhe për të promovuar Serinë A përtej oqeanit.