Sergio Ramos e shikon larg fundin e karrierës

Sport

Sergio Ramos e shikon larg fundin e karrierës. Përgjatë këtij edicioni futbollistik, mbrojtësi i qendrës është kritikuar jo pak për formën e tij, sepse dëmtimet e njëpasnjëshme, e kanë bërë atë që deri më tani të luajë vetëm 7 ndeshje në të gjitha kompeticionet me PSG. Nisur nga këto të dhëna, jo të paktë kanë qenë zërat se Ramos do largohet nga Parc des Princes në fund të sezonit. Mirëpo spanjolli nuk dorëzohet. Me kryesuesit e Ligue 1, ish-kapiteni i Realit ka një kontratë deri në vitin 2023, por ai sheh më larg se kaq.

“Do të doja të luaja në nivele të larta edhe për 4 apo 5 sezone të tjera, e më pas të provoj një tjetër eksperiencë. Me Parisin kam nënshkruar një kontratë deri në vitin 2023, por ne do përpiqemi që kjo marrëveshje të zgjasë 3 vite, e më pas të shohim se ç’do të ndodhë”, është shprehur ndër të tjera 36 vjeçari.  Nisur nga këto fjalë të vetë futbollistit, Ramos e sheh veten pjesë të PSG përtej kontratës aktuale, e për më tepër beson se mund të luajë në nivele të larta deri në moshën 40 vjeçare, apo diçka më tepër. Në 7 paraqitjet e tij në këtë sezon me fanellën e kryeqytetasve francezë, Ramos ka mundur të shënojë vetëm 1 gol.