Sergio Ramos bën kapitenin, mbështet Gareth Bale

Sport

Sergio Ramos do të jetë lojtari me më shumë ndeshje të zhvilluara me kombëtaren spanjolle, teksa vijon të shënojë emrin në historinë e ‘La Roja’-s edhe si golashënues. Ramos ka shfrytëzuar konferencën në grumbullimin me Spanjën për të folur edhe për një nga temat më të nxehta tek Real Madrid, atë të përplasjeve mes Zidane dhe Gareth Bale. Kapitëni i ‘los blancos’ ka dalë në krah të bashkëlojtarit të tij, duke u shprehur se Bale është treguar më shumë se profesionist, pasi pavarësisht pakënaqësive apo situatave të krijuara, vijon të japë maksimumin për skuadrën sa herë i jepet mundësia.
“Bale është një lojtar i shkëlqyer. Ai ka qenë më të vërtetë shumë i rëndësishëm për ne. Njerëzit dhe mediat flasin për shumë gjëra, por jo gjithçka që thuhet është e vërtetë. Ai mbetet mjaft i përkushtuar dhe ka një ndërgjegjje të pastër.”


Tek Real Madrid ende nuk kanë vendosur nëse Bale do të nxirret sërish në shitje gjatë merkatos së janarit, duke qenë se në këto momente, uellsiani ka qenë vendimtar në paraqitjet e skuadrës së drejtuar nga Zidane. Dëmtimi i Eden Hazard apo edhe i Marco Asensio bëri që tekniku francez të lërë shumë gjëra në dorë të Bale, i cili deri më tani nuk ka zhgënjyer. Ramos ka kërkuar prej kohësh që skuadra të përqëndrohet tek paraqitjet në fushën e lojës dhe të lërë pas problemet e merkatos verore, me shpresën se koha do të rregullojë marrëdhëniet mes Zidane dhe Bale.