Sergej Milinkoviç-Saviç zyrtarizohet tek Al-Hilal

Sport

Sergej Milinkoviç-Saviç është zyrtarisht një lojtar i Al-Hilal. Me një vit të mbetur në kontratë me Lazion, përflitej shumë që mesfushori do të largohej nga “Olimpico” këtë verë dhe destinacioni më i besuar për të, dukej Juventusi. Mirëpo, të gjitha këto diskutime ndodhën, përpara se pjesë e lojës të bëhej Al-Hilal.

20 milionë euro në sezon në drejtim të lojtarit, kontratë 3 vjeçare dhe 40 milionë euro në drejtim të Lazios, ishte një ofertë që nuk pati nevojë për shumë diskutime, kundërshtime, apo kohë për të vendosur. Marrëveshja u arrit shumë shpejt dhe për çështje ditësh, e ardhmja e serbit mori tjetër drejtim.

Ai tashmë është zyrtarizuar në ambientet e Al Hilal, atje ku do të luajë të paktën deri në 2026-tën, teksa në shpinë do të mbajë veshur fanellën me numrin 22. Në radhët e 18 herë kampionëve të Arabisë, Sergej ka gjetur edhe Kalidou Koulibaly, mbrojtësin, me të cilin disa sezone më parë, ishin kundërshtarë në Serie A, atëherë kur senegalezi ishte pjesë e Napolit.

Teksa ka kompletuar transferimin në Lindjen e Mesme, Milinkoviç është përshëndetur edhe me tifozët e Lazios, të cilët e kanë përkrahur lojtarin përgjatë 8 sezoneve që ai mbajti veshur fanellën e klubit bardhekaltër.

Me shqiponjat, Saviç, u prezantua 341 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke u bërë në këtë mënyrë, mesfushori i huaj më me tepër paraqitje për Lazion. Në “Olimpico”, ballkanasi u kthye ndër më të rëndësishmit e organikës, teksa kontriboui me 69 gola dhe 59 asite dhe arriti të fitonte 3 trofe, një Kupë dhe dy Superkupa të Italisë.