Duket se FIFA mund ta ndëshkojë sërish Federatën e Futbollit të Serbisë, dhe këtë herë jo me numër më të vogël të shikuesve, por stadiumi “Rajko Mitiç” në Beograd, rezikon të mbyllet për ndeshjen kundër Shqipërisë. Kështu ka shkruar të mërkurën gazeta serbe “Alo”. Ndeshja Serbi – Shqipëri luhet më 11 tetor në Beograd. Sipas mediumit serb, Federata e Futbollit e Serbisë pritet të dënohet për thirrjet “Kosova – Serbia” në ndeshjen Serbi – Angli e zhvilluar të martën mbrëma në Beograd. Janë shpalosur edhe flamuj të Serbisë mbi hartën e Kosovës. E përkundër paralajmërimeve dhe gjobave të mëparshme, tifozët vendas sërish shkaktuan incidente të shumta që kanë vënë në lëvizje FIFA-n dhe UEFA-n. Ndeshja i takoi kualifikimeve për Kupën e Botës 2026 dhe Anglia fitoi shumë thellë 5:0 ndaj Serbisë që e mbylli me 10 lojtarë pas kartonit të kuq për Nikola Milenkovic që do të mungojë ndaj Shqipërisë, ashtu si mesfushori Lukic, që ka mbushur numrin e kartonve. Federata e Futbollit e Serbisë dënohet thuajse rregullisht nga UEFA. Shpesh edhe për thirrjet anti-Kosovë dhe për banerët me përmbajtje anti-Kosovë.
