Segunda Division krijon një “koloni” kuqezi…

Sport

Keidi Bare dhe Rei Manaj ishin, por tani i janë shtuar edhe dy të tjerë, si Armando Sadiku e Ivan Balliu. Megjithëse disa kohë më parë dukej një tokë e vështirë për t’u shkelur nga futbollistët shqiptarë – vetëm Bare ishte pjesë e Atleticos -, tashmë në futbollin spanjoll mund të thuhet se është krijuar një koloni e futbollistëve kuqezi. Natyrisht bëhet fjalë për Segunda Division, por Malaga, Albacete apo edhe Almeria janë skuadra me pretendime të mëdha për t’u ngjitur në Primera. E fakti që kanë besuar te futbollistë nga Shqipëria nuk është pak.


Numrin më të madh të lojtarëve shqiptarë tashmë e mban Malaga, ku Bares së ardhur përpara një sezoni i është bashkuar Sadiku, i cili ka nisur menjëherë përgatitjet me skuadrën e re, ku kërkon rilancimin. Por mbi të gjitha ka ambicje për të treguar veten në futbollin spanjoll, pasi te Levante nuk pati shumë mundësi, edhe si pasojë e problemeve fizike. Me siguri që prania e Bares do ta ndihmojë së tepërmi për t’u ingranuar në ambientin e ri, me synimin për të shfaqur atë se çfarë është në gjendje të bëjë. Ndërkohë, Rey Manaj me Albaceten i lëshon sfidën në distancë, në tentativën për të siguruar atë ngjitje një kategori më lart, që ashtu si Malaga, nuk e realizoi dot në sezonin e kaluar, megjithëse u kualifikua për në play-off. Gjithashtu nuk mbetet prapa edhe Almeria e Ivan Balliut, që e kanë marrë në dorë e sheikët dhe që ka objektiva për t’u rithyer mes më të mirëve të futbollit spanjoll. Ky klub besoi tek mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, që ishte larguar gjatë verës nga Metzi, por që fillimet e veta i ka pasur pikërisht në Spanjë, përderisa ka dalë nga akademia e Barcelonës.