Seferi do të luajë në Superligën e Zvicrës, por …

Sport

Ishte rikthyer te Young Boys pas paraqitjeve të mira që bëri me Uinterthur në ligën e dytë zvicerane, teksa rinovoi edhe për 3 vjet më ekipin nga Berna. Megjithatë, Taulant Seferi nuk do të luajë këtë sezon në Superligën e Zvicrës me kampionët në fuqi, por me Njushatel Xamax, ku është huazuar për 1 vit.
Sulmuesi nga Kumanova, por që ka qenë pjesë e Kombëtares U-21 të Shqipërisë, do të mbetet në elitën e futbollit zviceran, teksa gjithcka është konfirmuar vetë lojtari me anë të një postimi në faqen zyrtare.


“Shums i lumtur që do të jem 1 vit i huazuar te skuadra e Xamax. Gjithçka shkoi mirë. Falenderimi i takon Zotit, familjes sime, menaxherit Shkumbin Qormemeti dhe gjithë atyre që më përkrahën dhe kishin besim tek unë. Do te jap më të mirën time për të arritur objektivat e mia dhe te klubit”, shkroi Seferi. Në këtë mënyrë, ai do të mund të aktivizohet më me tepër rregullësi, duke pasur shansin të shfaqë më së miri talentin e tij në fushë.

Seferi i është bashkuar për një sezon Ksamaksit, skuadër që është në rindërtim të plotë, pasi ka larguar pjesën më të madhe të lojtarëve të edicionit të kaluar, përderisa me ta rrezikoi rënien nga kategoria. Ai ka marrë edhe vlerësimin nga ana e trajnerit të Xamaxit, Zhoel Manjin, i cili ka deklaruar që Seferi është një lojtar dinamik, që mund të luajë në disa role, prandaj beson se do të sjellë më tepër opsione për lojën sulmuese të skuadrës. Pritet që 22-vjeçari të ketë një rol qendror me klubin e ri dhe të tregojë më në fund vlerat e tij në ligën më të lartë zvicerane, për të lëshuar edhe sinjale se e meriton edhe një ftesë nga kombëtarja shqiptare, të cilët e priste që kur filloi të shkëlqente me Vinterthur në kategorinë e dytë zvicerane.