S’do të ketë rikthim në Serie A për Mauro Icardin, ja e ardhmja e sulmuesit

Sport

S’do të ketë rikthim në Serie A për Mauro Icardin. Sulmuesi ishte nën radarët e Milanit dhe Juventusit, mirëpo, klubit italiane, duhet të shohin për të tjera alternativa, sepse Mauro është i bllokuar.

Sikurse raportojnë mediat në Francë, PSG dhe Galatasaray kanë gjetur një gjuhë të përbashkët mes tyre, në mënyrë që argjentinasi të bëhet në mënyrë përfundimtare pjesë e klubit kampion të Turqisë, atje kur ish-lojtari i Interit ishte i huazuar në edicionin që lamë pas.

22 gola të shënuar dhe 7 asiste të dhëna në vetëm 24 ndeshje të luajtura në kampionat, janë të dhëna mëse bindëse që Galatasaray të hapte arkën e kursimeve dhe të shpenzonte për kompletuar blerjen e përhershme të 30 vjeçarit. PSG dhe Galatasaray janë dakordësuar për 10 milionë euro mes tyre. Lojtari nuk ishte pjesë e planeve të kampionëve të Ligue 1, kështu që për të gjetur gjuhën e përbashkët me turqit, nuk është dashur shumë punë në këtë aspekt.

Edhe në vetë deklaratat e mëparshme, futbollisti është shprehur mjaft i lumtur për aventurën e tij në Superligën turke dhe se do të preferonte të luante për gjigantët nga Stambolli. Ai ka krijuar gjithashtu një lidhje mjaft të fortë edhe me tifozët e klubit, të cilët do të vazhdojnë të brohorasin emrin dhe të festojnë golat e Mauro Icardit në “Nef Stadium”.