Scholes zbulon se Manchester United priste ardhjen e Ronaldinhos në ‘Old Trafford’

Sport

Transferimi i Ronaldinhos nga PSG tek Barcelona në verën e vitit 2003 do të mbetet në historinë e futbollit si një nga lëvizjet më të rëndësishme të merkatos së këtij shekulli. Braziliani do të ndryshonte historinë e klubit katalanas, me të cilën do të fitonte edhe ‘Champions League’-ën në vitin 2006. Por historia e Ronaldinhos në futbollin europian mund të kishte qenë krejtësisht ndryshe. Paul Scholes ka zbuluar së fundmi se Ronaldinho ishte shumë pranë transferimit tek Manchester United. Mesfushori anglez shtoi se drejtuesit e ‘djajve të kuq’ ishin të bindur që Ronaldinho do të mbërrinte në ‘Old Trafford’, aq sa kishin bërë gati edhe numrin që braziliani do të mbante mbi shpinë. Scholes tregon se mes brazilianit dhe drejtuesve të klubit kishte një marrëveshje fillestare, por Ronaldinho ndryshoi vendimin e tij në çastet e fundit, për t’u transferuar tek Barcelona. Ish-mesfushori i Manchester United tregoi se atë verë, të gjithë lojtarët ishin të entuziasmuar për afrimin e një lojtari si Ronaldinho, por vetëm 3 ditë më pas, ‘djajtë e kuq’ po luanin një nga sfidat e fazës përgatitore në Seattle, pikërisht kundër Barcelonës, që në fushë kishte edhe brazilianin. Duke qenë të zhgënjyer prej faktit se Ronaldinho zgjodhoi kalimin tek katalanasit përpara Manchester United, lojtarët provuan të dëmtonin fizikisht brazilianin, i cili nga ana e tij zhvilloi një tjetër ndeshje brilante. Në fund, Scholes e mbylli duke zbuluar edhe emrat e disa lojtarëve të tjerë që ishin pranë kalimit në ‘Old Trafford’, por ndryshuan mendjen në momentet e fundit. Mes tyre spikasin emrat e Harry Kewell, Damien Duff dhe Arjen Robben, më këtë të fundit që Scholes mendon se mund të kishte bërë diferencën nën drejtimin e Alex Ferguson.