Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni rinovon kontratën deri në vitin 2026-të. Lajmi ka ardhur menjëherë pas fitores në ndeshjen miqësore ndaj Jamaica me rezultatin 3-0. Numri një i pankinës së 2 herë Kampionëve të Botës e mori drejtimin e përfaqësueses argjentinase pas Botërorit të 2018-tës.
Që prej asaj kohe, skuadra Albiceleste ka njohur vetëm rritje. Nga 49 ndeshje të luajtura në total, Argjentina nuk njeh humbje prej 35 takimesh radhazi, teksa është vetëm 3 hapa larg për të thyer rekordin e Itlisë, që është ndalur në kuotën e 37 ndeshjeve pa humbjeve.
Mirëpo, nuk është vetëm ky aspekti pozitiv i Argjentinës së drejtuar në epokën e Lionel Scalonit. Në verën e 2021-shit, Messi me shokë arritën të triumfonin në Copa America, çka ishte trofeu i parë për argjentinën që nga viti 1993.
Por, suksesi ka vazhduar edhe më tej. Në 1 qershor të këtij viti, Argjentina triumfoi edhe në Kupën Finalissima, duke mposhtur në finale Italinë, me rezultatin e pastër 3-0.
Tashmë, me ekipin kombëtar që ka marrë xhiro dhe po ecën me një ritëm të përkryer, objektivi i Lionel Scalonit është triumfi në Kupën e Botës, Katar 2022, një ëndërr e padiskutueshme edhe e yllit të madh të skuadrës, Lionel Messi.