Sassuolo shtang Interin në javën e 26-të të Serisë A.

Sport

Në takimin e luajtur në San Siro, skuadra mike ka fituar me rezultatin e pastër 2-0. Që në minutën e 8-të, Raspadori, i asistuar nga Domenico Berardi shënoi golin e parë të sfidës, duke mposhtur në këtë mënyrë edhe portierin Samir Handanoviç, i cili në atë rast mban edhe një përgjegjësi të fajita.

Teksa pritej një reagim i vendasve, nuk vonoi shumë dhe Sassuolo befasoi sërish publikun në shkallët e stadiumit, por jo vetëm, duke realizuar golin e dytë të sfidës me anë të sulmuesit Scamaca në minutën e 26-të.

Në vijim, jo vetëm gjatë pjesës së parë, por edhe në fraksionin e dytë, Interi nuk arriti të reagonte dot. Kampionët e Italisë e patën shumë të vështirë për të shënuar në portën kundërshtare dhe si pasojë në fund kanë dalë me humbje nga kjo ndeshje.

Për të parën herë në histori, Sassuolo ka bërë të mundur që brenda një sezoni të vetëm të fitojë në transfertë, si ndaj Interit, po ashtu edhe ndaj Milanit. Deri në këtë fazë të edicionit, skuadra e drejtuar nga trajneri Alessio Dionisi renditet në vendin e 11-të të tabelës së klasifikimit në kuotën e 33 pikëve.

Nga ana tjetër, Interi nuk arriti ta shfrytëzonte dot ndalesën e Milanit ndaj Salernitanës, e si pasojë mbetet në vendin e 2-të me 54 pikë, dy më pak sesa kuqezinjtë. Megjithatë, të besuarit e Simone Inzaghit kanë një takim të prapambetur për të luajtur, sikurse është ajo me Bolognan dhe në këtë mënyrë kanë ende mundësi për të mbetur në vendin e parë të renditjes.

Deri në fund të sezonit, kanë mbetur edhe 12 javë për t’u luajtur dhe nuk ka asnjë dyshim se gara për titullin kampion është bërë më interesante se asnjëherë tjetër në elitën e futbollit italian.