Sarri pret të tjera transferime nga ana e drejtuesve të klubit

Sport

Juventus ka qenë ndër skuadrat më aktive të kësaj merkatoje verore dhe bardhezinjtë duket se nuk kanë ndërmend të ndalen. Kampionët e Italisë po punojnë për të krye të tjera transferime. Është trajneri Maurizio Sarri që e konfirmon këtë gjë duke u shprehur se pret edhe 1 apo 2 blerje të tjera. Deri më tani, Juventus ka afruar emra si Matthijs de Ligt, Aaron Ramsey, Adrien Rabiot, Luca Pellegrini, Merih Demiral dhe Gianluigi Buffon. Juventus thuhet se pas konkretizimit të marrëveshjes për talentin De Ligt, është vënë tashmë në punë për një mesfushor.

Rikthimi i Paul Pogba është objektivi kryesor për Juventus, që deri më tani ka hasur në rezistencën e fortë të Manchester United, që dëshiron ta mbajë Pogba me çdo kusht, apo edhe atë të Real Madrid, që mund të bëjë çmendurira për transferimin e kampionit të botës. Maurizio Sarri tha se ka pritshmëri të larta për lëvizjet e ardhshme në merkato, teksa shtoi se është i kënaqur me punën e bërë me skuadrën gjatë fazës përgatitore. Trajneri i Juventus do të lejojë gjithashtu edhe largimin e një prej ‘benjaminëve’ të tij, Gonzalo Higuain. Argjentinasi është gjithnjë e më pranë Romës, teksa vendin e tij mund ta zërë Mauro Icardi nga Inter. Ky i fundit nuk është më në planet e zikaltërve dhe një kalim tek Juventus do të ishte një hap interesant për karrierën e tij. Sarri ka dhënë ultimatumin e tij sa i përket lojtarëve të rinj që mund të afrohen, pasi kërkon t’i ketë pjesë të skuadrës së tij sapo Juventus të përfundojë fazën përgatitore në Amerikë.