Sandro Tonali zyrtarizohet si lojtar i Newcastle United. Si fillim, njoftimin e ka publikuar Milani në kanalin zyrtar. “Së bashku ishim pjesë e një rrugëtimi fantastic. Familja kuqezi të uron vetëm suksese”, shkruan klubi italian.
Tonali u bë pjesë e Milanit në 2020-tën, kartoni it ë cilit u sigurua nga Brescia për shifrën e 14.5 milionë eurove. Në total, Tonali, luajti 130 ndeshje me Milanin, duke shënuar 7 gola, e 13 asiste. Kulmi i kësaj aventure, u arrit në sezonin 2021/22, kur mesfushori arriti të fitonte titullin kampion.
Ndërkohë, pjesë e Newcastle, Tonali u bë për shifrën e rreth 80 milionë eurove, teksa një pjesë e mirë e këtyre të ardhurave, do shkojnë në arkat e Brescias, që kishte një përqindje të shitjes së kartonit të futbollistit.
Në “St. James’ Park”, Tonali ka firmosur një kontratë deri në vitin 2028-të, nga e cila do të përfitojë rreth 10 milionë euro në sezon. “Si fillim, dua të falenderoj klubin e Nwëcastle United, sepse më ka dhënë një mundësi mjaft të mirë në karrierë. Dua që këtë besim, ta shpaguaj në fushën e lojës, duke dhënë më të mirën time, ashtu si gjithmonë. Po pres me padurim të luaj në “St. James’ Park”, bashkë me përkrahjen e tifozëve”, është shprehur italiani.
Më tej, nënshkrimin me Tonalin, e ka pritur mirë edhe trajneri i skuadrës, Eddie Howe, i cili ka thënë se 23 vjeçari është një futbollist me një talent dhe me një mentalitet të jashtëzakonshëm. Me aftësitë e tij fiziki dhe teknike, Howe nuk ka asnjë dyshim që Tonali do shkëlqejë me fanellën bardhezi.