Një raportim aspak i zakonshëm ka shtuar më tej stuhinë që trazoi Manchester United-in këtë javë. Alexis Sanchez thuhet se vuri bast se Jose Mourinho do të shkarkohej. Zëra të ndryshëm kanë referuar për mediat angleze se kileni ishte ndër më të gëzuarit kur lajmi i shkarkimit të trajnerit 55-vjecar u bë publik. Sipas The Sun, Sanchez kishte lidhur bast me shokun e skuadrës Marcos Rojo se Mourinho do shkarkohej. 20 mijë paundë thuhet se ka qenë shuma e vënë përsipër, ndërsa në fillim të kësaj jave mesazhe me sms i janë dërguar argjentinasit nga sulmuesi kilen, ku thuhej “Të thashë! Duhej vetëm durim, tani më ke borxh 20 mijë paundë!”.
Lajmi në fjalë ka mërzitur ndjeshëm tifozët të cilët që pas transferimit të Sanchez te United nuk është se kanë parë shumë prej tij në fushë. Në fakt kileni paguhet plot 505 mijë paundë në javë dhe pikërisht mënyra se si atij iu dha një kontratë kaq e majme thuhet se ka prishur balancat brenda grupit. Këtë javë Sanchez festoi edhe 30-vjetorin e tij, ndërsa gazeta The Sun ka raportuar gjithashtu se lëvizjen për në Old Trafford ai e ka konsideruar si një gabim. Sipas tabloidit anglez, Sanchez ka pasur zënka me Mourinhon në lidhje me taktikat dhe lëvizjet që ky i fundit nuk duhej të bënte në fushë, duke u kufizuar jashtëzakonisht në vetëm lojtar krahu ose pasues.