San Antonio thyen Milwaukee-n, Dallas dhe Denver bëjnë detyrën

Sport

San Antonio Spurs kanë marrë revanshin ndaj Milwaukee Bucks, duke i mposhtur në Teksas me rezultatin 126-104. Spurs-at do të merrnin avantazhin që në periodën e parë të lojës, të cilën e fituan me rezultatin e pjesshëm 27-22. Që nga ai moment, vendasit dominuan dhe menaxhuan si duhet takimin, për të marrë një fitore që vlen shumë, kur merret parasysh fakti se mposhtën skuadrën me formën më të mirë për momentin. DeMar DeRozan ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes me 25 pikë. Por paraqitje të mirë bënë edhe treshja Mills-Gay-Aldridge, të cilët realizuan secili mbi 16 pikë. Tek Milwaukee, më i dalluari ishte si gjithnjë gjigandi grek, Giannis Antetokounmpo, i cili nuk ia doli dot të shmangte humbjen e skuadrës së tij, pavarësisht se realizoi 24 pikë, 8 asiste dhe 12 rikuperime të topit nën tabelë.

Kanë kryer detyrën Dallas Mavericks dhe Denver Nugget, që fituan ndeshjet respektive ndaj Chicago Bulls dhe Atlanta Hawks. Dallas iu fal sërish performancës së yllit slloven, Luka Doncic, që realizoi ‘triple-double’-in e 11 në këtë sezon të NBA, çfarë e vendos për momentin sipër emrave si LeBron James, Nikola Jokic apo Russell Westbrook. Doncic e mbylli takimin me 38 pikë, 10 asiste dhe 11 rikuperime të topit nën tabelë, duke vulosur rezultatin final 118-110.


Ndërsa Denver kaloi 123-115 në transfertë skuadrën e Atlantas, me Nikola Jokic që realizoi plot 47 pikë, çfarë regjistroi një rekord personal për shtatlartin serb. Tek Hawks ndërkohë ra në sy paraqitja e talentit Trae Young, që u ndal në 29 pikë dhe 12 rikuperime të topit nën tabelë. Në takimet e tjera, Philadelphia mposhti 120-113 Oklahoman, ndërsa ‘surpriza’ e vërtetë e mbrëmjes ishte fitorja e Washington Wizards ndaj Boston Celtics, të cilët kryeqytetasit i mundën 99-94.