San Antonio fiton me vështirësi ndaj Miami Heat, Indiana befason Denver Nuggets

Sport

San Antonio Spurs kanë marrë një fitore shumë të rëndësishme, përballë një prej kundërshtarëve më të fortë të këtij sezoni nga ‘Konferenca e Lindjes’, Miami Heat. Teksanët triumfuan në këtë ndeshje me rezultatin e ngushtë 107-102, ku iu falën performancave të mira të dy yjeve kryesorë të skuadrës, LaMarcus Aldridge dhe DeMar DeRozan, të cilët realizuan së bashku 41 pikë. DeRozan madje ishte pranë realimit të një ‘triple-double’, pasi veç 20 pikëve, shërbeu 9 asiste dhe fitoi po 9 duele për zotërimin e topit nën tabelë. Tek Miami ndërkohë më i miri ishte Adebayo, që e mbylli takimin me 21 pikë, 6 asiste dhe 16 rikuperime të topit nën tabelë. Lojtarët e Heat morën avantazhin në periodën e parë me rezultatin e pjesshëm 31-28. Por Spurs do të kthenin çdo gjë në favorin e tyre menjëherë pas periodës së dytë, me Aldridge dhe DeRozan që morën nën kontroll sfidën. Kjo ishte fitorja e 18 për San Antonion në këtë sezon, çfarë e mban pranë zonës ‘play-off’.
Ka rezultuar një sfidë mjaft e bukur përballja mes Denver Nuggets dhe Indiana Pacers, që përfundoi me fitoren e këtyre të fundit me rezultatin 115-107. Shënuesi më i mirë i takimit në fakt ishte lideri i Denver, Nikola Jokiç, që e mbylli me 30 pikë, por dha kontributin e tij edhe me 10 rikuperime të topit nën tabelë. Megjithatë, plot 4 lojtarë të Indianës realizuan mbi 20 pikë, me lojtarin lituanez, Domantas Sabonis, i cili ishte pranë realizimit të një ‘triple-double’-i me 22 pikë, 15 asiste dhe 9 rikuperime të topit nën tabelë. Takimi në fakt u dominua nga lojtarët e Denver Nuggets, por Indiana ia doli të bënte përmbysjen e madhe në periodën e fundit të takimit, që e fituan me rezultatin e thellë të pjesshëm 41-26. Kjo ishte fitorja e pestë radhazi për skuadrën e Pacers, që mbeten në zonën ‘play-off’ në ‘Konferencën e Lindjes’, teksa për Nuggets, kjo humbje ishte e 13-a për këtë sezon.