Sampdoria ka nevojë për një mbrojtës qendror dhe prandaj ka hedhur sytë nga Berat Gjimshiti. Emri i mbrojtësit të Kombëtares shqiptare është përfshirë së fundi në planet e klubit xhenovez, që kërkon një alternativë për dy mbrojtësit titullarë Colley dhe Andersen. Sipas asaj që është shkruar nga e përditshmja “Gazzetta Dello Sport”, dorianët synojnë të provojnë për të rrëmbyer shqiptarin në pronësi të Atalantës, por që është rritur në Zyrih dhe që sezonin e kaluar luajti me sukses në huazim tek Benevento. I lindur në vitin 1993 dhe i dalluar për një fizik robust, Gjimshiti është një nga zbulimet e Xhani De Biazit, kur ai ishte në drejtimin e Kombëtares kuqezi. Dhe mësohet se pikërisht tekniku italian e ka sugjeruar edhe për drejtorin sportiv të Sampdorias, Carlo Osti, i cili është një mik i De Biazit.
Kështu, tashmë Gjimshiti është në listën e xhenovezëve, skuadër që ka garuar gjithmonë për vendet e mesit të renditjes në Serinë A. Mbrojtësi kuqezi, i rikthyer në Bergmo, nuk duket se është marrë në konsideratë në ndeshjet e para të sezonit të ri nga trajneri Gasperini. Kështu që do të pranonte me kënaqësi një lëvizje të mundshme, drejt Xhenovas. Gjithsesi në garë pë të është edhe Sassuolo, e drejtuar nga Roberto De Zerbi, trajner të cilin Gjimshiti e kishte sezonin e kaluar tek Benevento. De Zerbi mund të ngulmojë për ta pasur sërish mbrojtësin shqiptar nën urdhërat e tij, duke pasur parasysh se vjet me Beneventon, Gjimshiti ishte një nga “besnikët” e teknikut, duke luajtur praktikisht në të gjitha ndeshjet. Kështu, Sassuolo do të ketë një duel të fortë me Sampdorian, për të siguruar shërbimet e një prej mbrojtësve më me prespektivë në kampionatin italian.