Salihi lë Skënderbeun pa “gola” para D.Zagrebit

Sport

salhi
Hamdi Salihi nuk ka udhëtuar me Skënderbeun drejt Zagrebit. Madje duke i dhënë praktikisht fund aventurës me korçarët pasi ka marrë një ofertë nga Izraeli, siç ka konfirmuar trajneri Josa para nisjes. Kështu, kampionët e Shqipërisë humbasin shënuesin kryesor me 5 gola para “play-off”-it me Dinamon e Zagrebit që do të gjykohet nga italiani Rochi e transmetohet të martë ekskluzivisht në TRING SPORT 1 HD.
Skuadra korçare është nisur të hënën paradite me çarter drejt Zagrebit, e shoqëruar edhe nga një grup tifozësh, në kërkim të asaj mrekullie që do t’i jepte mundësinë për të prerë biletën drejt grupeve të Champions League.
Me synimin për të përmbysur humbjen 1-2 të pësuar të mërkurën e kaluar, trajneri Josa e ka konturuar pak a shumë formacionin anti-Dinamo e Zagrebit. Lajmi pozitiv është rikthimi i Renato Arapit në mbrojtje pas pezullimit prej 3 ndeshjesh. Ndërkohë që mund të thuhet se është praktikisht i rikuperuar Bernard Berisha, për të cilin ka dhënë efekt programi i veçantë i riaftësimit që ka realizuar me fizioterapistin Jorgo Pantazi.
Mungesa e Salihit me shumë mundësi do t’i hapë vendin bullgarit Hristov në sulm. Ndërsa pjesa tjetër nuk pritet të ndryshojë nga sfida e luajtur në “Elbasan Arena”. Një ide më e qartë do të krijohet pas stërvitjes së fundit para ndeshjes që Skënderbeu do të kryejë në stadiumin “Maksimir”.