Pasi ka siguruar biletën për në finalen e Champions League, Liverpool pret me qetësi kundërshtarin që do dalë nga çifti tjetër, Real Madrid – Manchester City.
Një nga futbollistët e The Reds e ka shprehur dëshirën se cilin ekip dëshiron në Paris. Mohamed Salah shpreson për një finale përballë Real Madrid. Egjiptiani kërkon hakmarrjen e 4 viteve më parë, atëherë kur në Kiev, spanjollët triumfuan 3-1 ndaj anglezëve.
Në deklaratën e tij pas ndeshjes me Villarrealin, ylli me The Reds është shprehur se ka ardhur momenti që Liverpool të kundërpërgjigjet.
“Preferoj që në finale të luaj ndaj Real Madrid. City është një kundërshtar i fortë dhe kemi luajtur disa herë ndaj tyre këtë sezon. Por unë personalisht do zgjidhja të luaja ndaj Realit. E kemi humbur një finale ndaj tyre dhe uroj t’i kemi sërish përballë me shpresën që këtë herë të fitojmë”, është shprehur 29 vjeçari.
Ndaj Villarrealit në Spanjë, ndonëse po mundej 2-0 në pjesën e parë, skuadra nga Merseyside përmbysi rezultatin në pjesën e dytë në 3-2. Sipas Salah, ky është një tregues se Liverpool është një skuadër e madhe, me karakter dhe personalitet.