Me siguri mund të thuhet se aventurës spanjolle të Armando Sadikut po i vjen fundi pas vetëm 6 muajve nga kalimi tek Levante. Për këtë flasin me bindje të madhe të gjithë në Gadishullin Iberik, aq sa po numërohen ditët derisa Sadiku të zgjedhë një nga 3 ofertat që i kanë ardhur për t’i dhënë lamtumirën klubit nga Valencia. Sulmuesit mësohet se i është bërë e qartë se për të nuk ka vend në radhët e Levantes, ndonëse prej ditësh ka nisur fazën përgatitore me të. E madje, edhe pse sulmuesi kryesor Boateng është dëmtuar përsëri, flitet se do të kërkohet afrimi i një emri tjetër, pasi drejtuesit me në krye trajneri e Levantes nuk besojnë më te shpërthimi i Sadikut. Në një situatë të tillë, për lojtarin shqiptar ka ardhur koha të shqyrtojë tre ofertat që i janë bërë gjatë periudhës së fundit. Bëhet fjalë konkretisht për dy nga klube nga Turqia dhe një nga Greqi. Në kampionatin turk, elbasanasin e ka kërkuar prej kohësh Rizespor, por së fundi edhe Sivaspor.
Madje duket se kjo skuadër e sheh Sadikun, si një partner ideal për brazilianin Robinjo, i transferuar vetëm sezonin a kaluar. Nga ana tjetër, në Greqi, Aris i Selanikut është gati ta presë me krahëhapur, për të shtuar kështu koloninë e shqiptarëve pas afrimit të Migjen Bashës. Mirëpo për momentin pengesë është fakti se klubi grek nuk ka fuqi financiare për të paguar kartonin e Sadikut, që vërtitet tek 1,4 milionë euro. Praktiakisht, aq sa shpenzoi për ta blerë në janar nga polakët e Legias së Varshavës. Gjithsesi, gjithçka në këtë pikë është në dorën e sulmuesit shqiptar, i cili natyrisht do të bëjë zgjedhjen më të leverdishme, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe sa i takon hapësirave që do të ketë për të luajtur me vazhdimësi. Ndryshe nga sa ka ndodhur me Levanten.