Sadiku tregon përse nuk është pjesë e Kombëtares

Sport

Armando Sadiku ka hedhur prapa krahëve dëmtimin dhe pritet të rikthehet shumë shpejt titullar për Malagan. Sulmuesi elbasanas nuk mundi të ishte dy ndeshjet e fundit eliminatore me kombëtaren. Në një intervistë për mediet spanjolle ai zbuloi arsyen se pse nuk u grumbullua nga Reja.
“Nuk munda të shkoj se kisha dëmtim, por kombëtarja më jep gjithmonë një emocion special. Është normale që të shkoj të luaj me fanelën kuqezi. Por ky i Evropianit ishte shumë i vështirë. Nuk u kualifikuam dot për në Euro 2020, por tani shohim me padurim para për Botërorin”, u shpreh elbasanasi, i cili duket i bindur se do të mund të kthehet përsëri të veshë fanellën kuqezi, ndoshta duke filluar nga viti i ardhshëm.
Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare ka treguar se pret me padurim të bëhet pjesë e ekipit kur të fillojë punën për të synuar kualifikimin në Botëror. Ndërsa tashmë kërkon të japë kontributin për Malagan: “Luajta një pjesë loje ndaj Alkorson dhe tani gjithcka opo shkon mirë. Kam vuajtur pak pasi dëshiroja të luaja në ndeshjet e fundit, por ky dëmtim më mbajti jashtë. Tani jam i lumtur që u ktheva, kemi luajtur mirë por na mungon goli”, deklaroi sulmuesi për mediat iberike. Ai ka shënuar 3 gola gjatë këtij sezonit me ekipin e Malagas.
Sadiku nuk kurseu as elozhet për tifozerinë e klubit të tij, duke deklaruar se nuk kishte parë asnjëherë si ajo. “Nuk kam parë asnjëherë një tifozeri që mbështet kështu ekipin, mua më emocionon shumë. Ka raste kur zemërohet kur ekipi nuk fiton, por tifozeria e mbështet gjithmonë skuadrën dhe më ka bërë shumë përshtypje pozitivisht. Jap gjithmonë 100% kur hyj në fushë për këta njerëz”, ishin fjalët përmbyllëse të Sadikut.