10 janë golat e realizuar deri tani nga Armando Sadiku, i cili është shndërruar në sulmuesin kryesor të Malagas në Segunda Division dhe në një idhull të tifozerisë së këtij ekipi. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare iu bashkua klubit nga La Rosaleda, përmes formulës së huazimit nga Levante. Pak kohë më parë ai pranoi se dëshironte të vazhdojë të japë kontributin në skuadrën ku ka rigjetur veten. Megjithëse Levante mund të vendosë ta rikthejë në bazë, duke parë paraqitjet e tij të mira.Deri kur të vendoset mbi të ardhmen e tij, Sadiku po shijon momentin pozitiv te Malaga. Statistikat thonë se në dekadën e fundit, një kuotë e tillë golash (10) është
regjistruar mjaft rrallë nga një lojtar i Malagas. Konkretisht, prej vitit 2010,
atëherë kur klubi u ble nga Sheiku Al Thani, bomberi i Shqipërisë figuron midis shënuesve më të mirë të skuadrës spanjolle. Kurioz është fakti se deri tani elbasanasi ia ka dalë të fiksojë një kuotë më të lartë edhe sesa emra të famshëm si Isco e Cazzorla, të cilët kanë pasur fillimet e tyre pikërisht me Malagan. Dy mesfushorët spanjollë në kohën kur luanin për këtë ekip patën realizuar nga 9 gola në një sezon, ndërsa Sadiku ka shënuar 1 më shumë, kur kampionati i tij i parë në Segunda është ende për t’u përfunduar. Më shumë sesa sulmuesi shqiptar kanë shënuar vetëm lojtarë si Rondon (14), Sandro (13), Seba (12) apo Çarls (11). Në një situatë të tillë mund të thuhet se lojtarit të Kombëtares kuqezi do t’i duhen edhe 5 gola nëpër takimet e mbetura deri në fund për t’u bërë lojtari më produktiv brenda një kampionati me
fanelën e skuadrës nga “La Rosaleda”. Me atë që ka treguar deri tani, Sadiku i ka të gjitha mundësitë për t’ia dalë mbanë. Gjithmonë, nëse rinisja e kampionateve do t’ia lejojë.