Sadiku rrëfen “karantinën” spanjolle: Për pak rrezikova…

Sport

Veç Italisë, Spanja duket që së fundi është një nga vendet më të prekura në Europë nga Koronavirusi, aq sa po merr edhe shumë jetë njerëzish. Në Gadishullin Iberik aktivizohen disa futbollistë shqiptarë, mes të cilëve edhe Armando Sadiku me Malagan në Segunda Liga. Në një intervistë për emisionin opinion, sulmuesi i Kombëtares ka rrëfyer më shumë mbi situatën e atjeshme dhe si po e përjeton këtë gjendje të krijuar.
“Edhe unë gjendem në karantinë si të gjithë. Që nga dita e diel jemi të izoluar. Kishim stërvitje të hënën, por kur shkuam atje na thanë se nga sot nuk do të vini më në stërvitje dhe kam tre ditë tashmë në shtëpi që jam i izoluar. Klubi më ka qëndruar shumë pranë. Më ka sjellë materiale që po stërvitemi në shtëpi dhe na ka dhënë një program me video me gjërat që duhet të bëjmë në stërvitje, që të mos e humbim formën që kemi sepse nuk i dihet. Kampionati është i bllokuar edhe ndeshjet me Kombëtaren që i kishim në fund të marsit nuk do të zhvillohen. Por nga momenti në moment mund të fillojë kampionati dhe mund të kthehemi në stërvitje”, tha fillimisht Armando. Ndërsa tregoi edhe një episod, që për pak mund t’i kishte kushtuar shtrenjtë… “Janë marrë masa shumë strikte nga presidenti Sançez dhe sot në supermarket për pak na kanë vënë gjobë sepse kemi hyrë dy veta të një familje brenda. Në supermarket vetëm njëri duhet të futet brenda dhe tjetri duhet të presë jashtë”, rrëfeu elbasanasi. Gjithashtu, ai ka folur edhe se kur mund të nisë futbolli në Spanjë. “Deri tani thuhet se La Liga mund të fillojë më 24 prill, por nuk është vendosur plotësisht. Gjithçka është e bllokuar”.
Në Malaga vdiq një teknik 21-vjeçar që stërviste një prej ekipeve të të rinjve dhe ky mund të jetë personi më i ri i vdekur prej koronavirusit. Ndërsa Sadiku ka treguar se “bëhej fjalë për trajnerin e ekipeve të moshave të Malagas, por vuante prej 6-7 vitesh nga Leuçemia dhe ky ishte shkaku përse ai vdiq”.