Sadiku refuzon Kombëtaren shqiptare, ja arsyeja

Sport

loretsadiku

Krejt papritmas, Loret Sadiku ka refuzuar ftesën e Kombëtares se Shqipërisë, pasi dëshiron që të luajë për Kosovën. Shqipëria ka vazhduar me rrëmbimin e lojtarëve shqiptarë te Kosovës edhe gjatë muajit nëntor, ku Panucci kishte ftuar në listë Ardian Ismajlaj dhe pikërisht futbollistin që luan me Kasimpasa në Turqi.
Por nëse Ismajlaj e ka pranuar ftesën e Panuccit, kështu nuk ka ndodhur me Sadikun. Pavarësisht ftesës së Panuccit për të luajtur për Shqipërinë, lojtari i ka thënë “jo” udhëtimit drejt Tiranës për t’u përgatitur para ndeshjeve me Skocinë dhe Uellsin. Duket se arsyeja vetme është që dëshiron të luajë për Kosovën.
Më parë, Sadiku ka qenë pjesë e grupmoshave të reja të Suedisë. Ai është aktivizuar me Shqipërinë, para se Kosova të bëhet anëtare e UEFA-s. Përderisa Kosova nuk ishte e pranuar në arenën ndërkombëtare, në fakt ishte e pamundur që Sadiku të luante për përfaqësuesen kosovare. Por tani që Kosova njihet nga UEFA dhe FIFA, atëherë lojtari ka vetëm një qëllim të qartë. Pavarësisht se ende nuk po mund ta marër lejen e FIFA-s.
Në anën tjetër, ky duket si një autogol i FSHF, pasi së pari duhet të kishte kontaktuar direkt me lojtarin e më pas të bënte publik emrin e tij në listën e të grumbulluarve. Në një situatë të tillë, të premten është detyruar të dalë me një njoftim për shtyp, ku konfirmoi se Kaçe do të jetë zëvendësimi për Sadikun në Kombëtaren shqiptare.
Ndeshjen e parë kuqezinjtë do ta luajnë përballë Skocisë në datën 17 nëntor ora 20:45 në stadiumin “Loro Borici”, e vlefshme për UEFA Nations League.