Sadiku po shndërrohet në armën plus të Malagas

Sport

Armando Sadiku e ka nisur në mënyrën më të mirë eksperiencën e tij të re spanjoll te Malaga. Aty ku që në ndeshjen e dytë, arriti të gjente rrugën e rrjetës. Kaq ka mjaftuar që Sadiku të kthehej në titullar për ekipin e Segunda Division. Ndërkohë që falë paraqitjeve të bëra në kampionat, në Spanjë kanë nisur ta vlerësojnë sulmuesin kuqezi, pas një periudhe ku mund të thuhet se kishte rënë në “heshtje” si pasojë e mosaktivizimit me Levanten.


Edhe në sfidën e fundit të luajtur nga Malaga kundër Rajo Valencanos (1-1), elbasanasi u bë protagonist. Bashkë me lojtarin tjetër të Kombëtarers shqiptare, Keidi Baren i dhanë jetë një aksion model, nga ku u shënua edhe goli i skuadrës së Malagës. Në një situatë të tillë, mediat spanjolle kanë nisur të vlerësojnë Sadikun, teksa tashmë shohin një futbollist tjetër nga ai që ishte shfaqur tek Levante. Tani e konsiderojnë edhe si një lojtar, që meriton të zërë vendin në formacionin e Levantes. Ndërkohë që pavarësisht se skuadra nuk po arrin të fitojë prej disa ndeshjesh, Sadiku shihet si një armë plus, që e bën më të rrezikshme Malagën e këtij sezoni. I takon vetë sulmuesit që të arrijë të përmirësojë formën e tij, për të qenë edhe më efikas. Gjë që do të jetë pozitive si për vetë atë në planin personal, por edhe për Malagan.