Armando Sadiku më në fund ka nisur të japë sinjale pozitive, në radhët e Levanes. Të enjten, skuadra e La Liga-s spanjolle arriti të barazojë me shifrat 2-2 miqësoren ndaj Utrehtit, që në një farë pike u duk se do të sillte humbjen e radhës për skuadrën ku vec sulmuesit të Kombëtares kuqezi, luan edhe shqiptari i Maqedonisë, Enis Bardhi. Ja që në rikuperimin e rezultatit pati meritë të veçantë edhe Sadiku, i cili më në fund tregoi se mund të japë ende dicka për spanjollët. Skuadra e tij po humbiste me rezultatin 2-0 deri në minutën e 85-të të takimit, atëherë kur Jason realizoi golin e parë, duke shkurtuar diferencën e rezultatit. Ndërsa 3 minuta më vonë erdhur dhe goli i barazimit, ku protagonist u bë dhe sulmuesi shqiptar, i aktivizuar gjatë pjesës së dytë.
Sadiku ka marrë një top brenda zonës, duke goditur drejt portës, por gjuajtja e tij fillimisht u prit nga portieri, teksa shkoi në këmbët e Delgados, i cili nuk e ka pasur të vështirë të shënojë golin që fiksoi shifrat 2-2. Kështu, pas disa miqësoreve jo të mira dhe aktivizimeve të pakta për Sadikun, kjo ishte ndeshja e parë ku shqiptari la shenjën, duke bindur edhe me paraqitjen e tij për aq sa qendroi në fushë. Megjithëse duket e vështirë që vetëm kaq të jetë e mjaftueshme për të ndryshuar planet e Levantes, që duket se vazhdon të ketë si synim për ta shitur. Thjesht po mundohet të gjejë ekipin që ofron më shumë.