Sadiku, kthim në Spanjë? Por Levante s’e ka në plane…

Sport

Pas përfundimit të huazimit te Lugano në Zvicër, Armando Sadiku pritet të kthehet te Levante në Spanjë, pas ndeshjeve të Kombëtares dhe një periudhe të merituar pushimi. Vetë sulmuesi ka pranuar në ditët e fundit se do të rikthehet të bëjë fazën përgatitore me klubin spanjoll, pasi ka marrë programin e punës dhe shumë shpejt do të bashkohet me ekipin e La Ligas, drejtuesit e të cilit thuhet se e kanë ndjekur gjatë ndeshjeve të luajtura me Luganon.

Mirëpo nga ana tjetër te Levante nuk është se do ta presin krahëhapur. Mediat spanjolle raportojnë se trajneri i skuadrës nga Valencia nuk e ka në plane, prandaj për Sadikun po mendohet një tjetër klub, ku do të ketë edhe hapësira më të mëdha aktivizimi. Konkretisht, “Eldesmarque.com” ka shkruar se më shumë mundësi sulmuesi elbasanas do të duhet të kërkoj një sistemim të ri gjatë merkatos së verës, në huazim ose për t’u shitur përfundimisht, nëse mbërrin një ofertë e kënaqshme. Në periudhën e fundit të kaluar me fanellën e Luganos, ai luajti 16 ndeshje por arriti të shënonte vetëm 3 gola nga janari në maj mes kampionatit dhe Kupës së Zvicrës. Si përfundim, ky rendiment duket se ka detyruar klubin zviceran që të mos e blejë përfundimisht kartonin e futbollistit, kështu që automatikisht do të rikthehet te Levante. Megjithëse vetë Sadiku ishte shprehur se do të rikthehet te Levante, për ta rinisur aty ku e kishte lënë para dëmtimit të rëndë që e mbajti larg fushave për plot 6 muaj.