Sadiku: Ja kush më bindi për të shkuar te Malaga

Sport

Afrimi i tij u bë zyrtar në mesnatën e së martës, mirëpo vetëm të enjten Armando Sadiku u prezantua te Malaga, përmes një ceremonie të veçantë në stadiumin “Rozaleda”, ku ishin të pranishëm edhe dy blerjet e tjera të skuadrës spanjolle, Benkhemassa dhe Lorenzo. Elbasanasi u huazua nga Levante në mbyllje të merkatos së kësaj vere, duke pranuar të luajë në ligën e dytë. Teksa do të bëhet shok skuadre me shqiptarin tjetër, Keidi Baren. Pikërisht ai ka qenë një nga njerëzit, i cili e bindi për të pranuar destinacionin e ri, sic ka treguar edhe vetë Sadiku: “Fola me Keidin para se të vija këtu dhe më tha se kemi një ekip të mirë. Ai më tha se mungon një sulmues i mirë. Kjo më motivoi më tepër për të ardhur. Tani mendoj se është koha për të punuar e shënuar gola për Málagan. Të gjithë më kanë folur shumë mirë për këtë ekip, që ka histori në Primera Division. Këtu kanë luajtur sulmues mjaft të fortë, prandaj është nder për mua të kem mundësinë të luajtur. Trajneri është një njeri shumë pozitiv dhe më ka shpjeguar mënyrën sesi do të luajmë. Jam shumë i kënaqur, pasi më kanë pritur shumë mirë”.


Para gazetarëve, sulmuesi nënvizoi mes të tjerash se është “një sulmues, që i pëlqen të luajë në zonë, të shënoj gola dhe të ndihmojë ekipin. Ndërkohë që me realizimet e tij shpreson që të kthejë Malagën shumë shpejt në La Liga, gjë që e shpresojnë edhe tifozët. Bomberi i kuqezinjve ka zgjedhur që të mbajë fanelën me numrin 9 te skuadra e njohur spanjolle.