Ndoshta as vetë Armando Sadiku nuk e priste një start aq të mbarë. Gola e asiste ndaj Lugano, për të larguar Vaduzin nga vendi i fundit, aty ku tashmë gjendet Zyrihu, skuadra e tij në gjysmën e parë të kampionatit zviceran. Por Sadiku, përtej zhgënjimit që u la jashtë formacionit të javës nga mediat zvicerane, nuk është kënaqur as nga humbja e Zyrih-ut, skuadër që lufton me Vaduzin për mbijetesë. Të dielën përballë Sionit, Armando ka treguar se vuajti bashkë me ish-shokët e skuadrës.
Ndër të tjera ka sqaruar se nuk iku nga Zyrihu për faktin që trajneri Hipia nuk e donte, por thjesht sepse vetë ai kërkonte më shumë hapësira për të luajtur, gjë që tekniku finlandez nuk ia garantonte dot. “Kam një objektiv: të shkoj në Europian me Shqipërinë. Dhe dua ta arrij. Por kjo është e vështirë të arrihet duke qendruar në stol. Në Vaduz gjeta atë që kërkoja”, ka sqaruar Sadiku për gazetën “DerBund”.
Gjatë merktos së janarit, për Sadikun u interesua edhe Ingloshtadi në Bundesligën gjermane. Por zgjodhi Vaduzin, pasi mori garanci për aktivizimin si titullar, gjë që i vlen shumë për vajtjen në Europian me Kombëtaren. Diçka, që e ka cilësuar si një ëndërr të fëmijërisë së tij. “Eshte ëndrra që çdo futbollist e mban brenda vetes. Euro 2016 është një mundësi e mrekullueshme për të luajtur për vendin tënd. Dua të jap më të mirën time dhe në fund do të isha thjesht krenar për pjesëmarrjen në një kompeticion të tillë, me fanellën e Shqipërisë në trup”, ka përfunduar sulmuesi.