Armando Sadiku iu bashkua Levantes të mërkurën fill pas impenjimit që pati të hënën me Shqipërinë kundër Norvegjisë. Sulmuesi ishte një nga të ardhurit e parë nga Kombëtaret, që kreu seancën stërvitore të programuar nga trajneri i Levantes Pako Lopez. Kurse lojtarët e tjerë të Levantes që ishin grumbulluar me kombëtaret e tyre si, Enis Bardhi, Shaq Moore, Jefferson Lerma, Sasa Lukic dhe Fahad Al-Muallad i janë bashkuar skuadrës shumë më vonë.
Sulmuesi elbasanas, sipas asaj që kanë raportuar mediat spanjolle, është stërvitur normalisht në fushën sportive të Bunol me skuadrën e tij, që në fundjavë do të luajë kundër Gironas, ndeshjen e vlefshme për javën e 30-të të La Ligas. Madje sulmuesi shqiptar pritet të jetë pjesë e skuadrës së Levantes për këtë ndeshje kyce, në një kohë kur gjatë takimeve të fundit ka qenë i ulur kryesisht në tribunë edhe për shkak të një dëmtimi që e ka shqetësuar.
Megjithëse i përqendruar tashmë te klubi, nga Valencia, Sadiku ka kujtuar edhe një herë Kombëtaren, përmes një postimi prekës që ka bërë në Instagram. “Kjo fanelë më bën të ndihem krenar në cdo ndeshje dhe më motivon të luftoj më fort me shpirt. Forca Shqipe! Kemi rrugë të gjatë përpara, por jam i sigurtë që të gjithë së bashku do të jemi përherë fitimtar. Ti Shqipëri më jep nder!”, ka shkruar Sadiku në profilin e tij në rrjetin social.