Armando Sadiku shënoi golin e dytë në 5 javë të kampionatit zviceran. Megjithëse nuk iu gëzua dot plotësisht, pasi Zyrihu i humbi në fushën e Sionit me rezultatin 3-1. Sulmuesi i Kombëtares kuqezi gjeti rrjetën në minutën e 20-të të ndeshjes, duke fiksuar barazimin e përkohshëm, për t’u zëvendësuar më pas në 68-tën. Titullarë në sfidën ndaj Sionit luajtën edhe Xhimshiti e Kukeli, teksa të dy nuk kanë mundur t’i shpëtojnë dot ndëshkimit me karton të verdhë, në një ndeshje shumë nervoze. Aspak pozitiv ky fillim për Zyrihun, sepse në 5 ndeshjet e para të kampionatit ka fituar vetëm një herë. Pavarësisht se ekipi i tij humbi, sulmuesi kuqezi tregoi se po kalon një formë të mirë në aspektin personal, teksa ky ishte goli i dytë në kampionat për të.
Për herë të parë Zyrihu grumbulloi edhe mesfushorin 21-vjeçar Lulzim Salija, me origjinë kosovare dhe produkt i sektorit të të rinjve të klubit zviceran.
Të enjten u luajt edhe Vaduz-Grasshopers, e mbyllur në barazim 3-3. Mbrojtësi shqiptar Naser Aliji luajti titullar te Vaduzi, duke bllokuar mjaft mirë rrezikun kryesor të Grasshopers, Shani Trashaj, kryegolashënues i kampionatit me 5 gola. Por që këtë radhë mbeti thatë. Kurse Kamberi hyri në minutën e 85-të, pa ndihmuar dot Grasshopersin, që u ndal te barazimi pas dy fitoresh rradhazi, edhe pse mbetet në vendin e dytë të renditjes.