Pa frikë mund të thuhet se Armando Sadiku është abonuar me golin te Malaga në Segunda Division, aq sa është bërë arma plus e skuadrës që lufton për të mbetur në kategorinë e dytë spanjolle. Sulmuesi elbasnas i Kombëtares shqiptare gjeti të dielën sërish rrugën e rrjetës, për herë të 10-të në sezon me skuadrën nga “Rosaleda”. Futbollisti i përfaqësueses shqiptare, i cili ishte si zakonisht titullar për ekipin e tij gjatë ndeshjes me Numancian, shënoi në minutën e 53-të, duke barazuar përkohësisht rezultatin në 1-1. Numancia kishte shënuar në pjesën e parë, megjithatë Malaga nuk u dorëzua dhe vazhdoi të ngulmojë fort. Si rrjedhojë, me fillimimin e fraksionit të dytë të lojës arriti të rrëmbejë një penallti (e shtata për Malagan në këtë kampionat), që Sadiku i ngarkuar për ta ekzekutuar nga pika e bardhë, nuk e gaboi. E në këtë mënyrë, sulmuesi kuqezi e konfirmoi veten si lojtari, tek i cili Malaga është tepër i varur. Deri tani, 10 realizimet e shqiptarit i kanë sjellë ekipit spanjoll 15 pikë nga 31 në total. Përderisa edhe këtë herë përkoi me një tripikësh shumë të rëndësishëm në luftën për mbijetesë të skuadrës andaluze, që si përfundim ia doli të fitojë 2-1. Ndërkohë, Keidi Bare nuk luajti përsëri në radhët e Malagas, megjithëse prej disa ditësh është rikthyer nga problemi fizik që kishte. Mesa duket, mefushori duhet të rifitojë formën e duhur, përpara se të aktivizohet titullar.