Sadiku gjen sërish golin, por s’mjafton për Malagan

Sport

Tri minuta i mjaftuan Armando Sadikut për të shënuar golin e tij të dytë me fanelën e Malagas. Në sfidën përballë Real Saragozës, elbasanasi konfirmoi se nuk ka humbur nuhatjen para portës, thjesht duhet që të ndihmohet më shumë nga shokët e skuadrës. Ishte një gol prej sulmuesi të vërtetë, por të gjithë u çuditën kur pas rreth një ore lojë, Sadiku kërkoi të zëvendësohej e shumëkush mendoi se kishte pasur probleme me gjurin e operuar.


Gjithsesi, vetë ai ka shpjeguar se doli nga loja për të shmangur mbingarkesën pasi kishte luajtur rregullisht çdo ndeshje në shtator, në një kohë kur vinte prej një faze përgatitore të kryer jo edhe aq mirë me Levanten. “Isha shumë i lodhur. Kërkova zëvendësimin se po luajmë shumë ndeshje. Por jam i kënaqur me veten, jam mirë fizikisht dhe po luaj në çdo ndeshje. Po jap çdo gjë nga vetja, në një moment kur na nevojiten pikët. Shpresoj të bëj më shumë se kaq”, rrëfeu Sadiku.
Për fatin e tij të keq, goli i tij nuk siguroi më shumë se një pikë për Malagan, pasi takimi ku luajti titullar edhe Keidi Bare, u mbyll në barazim 2-2 pas një goli të pësuar në minutën e 90-të. Kështu, skuadra e tij mbetet sërish në zonën e ftohtë të renditjes së Segunda Division. Tashmë, pas ndeshjes së radhës që luhet të dielën ndaj Huescas, Sadiku pritet të rikthehet pjesë e Kombëtares shqiptare, përderisa golat e shënuar duket se kanë bindur Rejan për ta grumbulluar sërish.