Sadiku bën euro-gol, ofendon trajnerin pas realizimit!

Sport

armandosa
Armando Sadiku realizoi një gol fantastik nga distanca në ndeshjen që Lugano e tij barazoi 1-1 në fushën e Bazelit. Edhe pse sulmuesi elbasanas e nisi nga stoli, meqënëse nuk u preferua si titullar nga trajneri Fabio Celestini, në minutën e 67’-të sulmuesi shqiptar shënoi golin e avantazhit të përkohshëm për skuadrën e tij. Bëri përshtypje fakti që më shumë sesa festoi, ai reagoi ashpër, duke lëshuar disa sharje të forta në shqip nga goja ndërkohë që miqtë e tij të skuadrës përpiqeshin ta përgëzonin. Ai u duk se u drejtua nga stoli, duke shfryrë në këtë mënyrë veçanërisht ndaj trajnerit të Luganos, për faktin që e kishte lënë në stol.Duke folur për mediat pas ndeshjes, Sadiku konfirmoi sharjen në gjuhën shqipe.

armando la liga

‘Kështu jam unë, isha i nervozuar me të gjithë. Kam sharë pak thuajse të gjithë në shqip. Unë kështu jam gatuar…I pranoj zgjedhjet, kam ardhur këtu për të luajtur dhe mendoj se kam dhënë maksimumin në minutat që më janë dhënë. Ndihem i kënaqur, por do të isha më i lumtur nëse merrnim tri pikët në fund të takimit. Sa i takon objektivit që kemi, duhet të arrijmë sa më lart të jetë e mundur. Pres më shumë edhe nga vetja ime”, shpjegoi Sadiku, për të cilin goli i shënuar ndaj Bazelit ka qenë një ndër më të bukurit e realizuar në kampionatin zviceran. Ndërsa nga ana tjetër, trajneri Fabio Celestini pas ndeshjes është shprehur se nuk kishte parë asgjë: ”Nëse e ka me mua dhe shënon gola dhe arrin objektiva, atëherë shpresoj që ta bëjë çdo të diel. Unë kam një raport shumë të mirë me Armandon, por më pas bëj disa zgjedhje”, deklaroi tekniku. Për fatin e keq të Sadikut, goli nuk mjaftoi për t’i dhënë suksesin skuadrës së tij, por vetëm 1 pikë, pasi Bazeli barazoi me golin e Sushi dhe ndeshja u mbyll me shifrat 1-1 që lënë Luganon përsëri në vend të 8, por vetëm 3 pikë larg vendit të 4-t që siguron Kupat e Evropës.