Pak ditë më parë Mino Raiola i drejtoi fjalë aspak të hijshme ish-trajnerit të Milanit dhe Italisë Arrigo Sacchit, por ja që ky i fundit di t’i përgjigjet me stil, pikërisht stil të cilin Raiola pati thënë se ai nuk e ka. “Kush është ky, nuk e njoh!” ka thënë Sacchi për shtypin italian, referuar agjentit të njohur të Balotellit, Pogbasë, Donnarumës apo dhe plot lojtarëve të tjerë. Raiola pati thënë së fundmi se Sacchi “nuk ka inteligjencë, as klas dhe as stil”. I konsideruar si trajneri i cili i hapi Italisë dyert e futbollit modern, Sacchi mbahet mend për dy titujt e Champions League-ës dhe të Super-Kupës së Evropës, të fituara radhazi me Milanin në vitet 89-90.
Ai ka mjaftuar me një batutë për të mbyllur diskutimin me Raiolën, të cilësuar nga shumëkush si personin që e trazon më së shumti futbollin me klauzolat dhe marrëveshjet e tij bombastike për sa i përket shumave të parave. Më tej duke u ndalur te çështjet e futbollit, dhe sidomos kombëtares, Sacchi ka këmbëngulur se Roberto Mancinit i duhet dhënë kohë. Në fund dy fjalë pati edhe për Ancelottin, të cilin e konsideroi si njeri të jashtëzakonshëm. “Eshtë i vetmi që besoj se e bën të mos ndihet mungesa ime në futboll. Eshtë mjeshtër i atillë që përshtatet gjithmonë me të renë, si në jetë po ashtu edhe në futboll” tha 72-vjecari.