Sa here luan Etrit Berisha, Lacio nuk humbet

Sport

et

Etrit Berisha ishte ndër protagonistët kryesorë të Lazios, në atë fitore të rëndësishme që skuadra bardhekaltër mori në “San Siro” përballë Interit kryesues. Por përtej kësaj, portieri kuqezi, madje mund të thuhet se është një fatsjellës për romanët me aktivizimet e tij.

Të paktën statistikat tregojnë se Lacio është e pamposhtur që nga gushti, sa herë që ka pasur Berishën midis shtyllave të portës. Saktësisht që pas humbjes shkatërruese 4-0 në Verona ndaj Chievos, Etriti është aktivizuar 8 herë si titullar e zëvendësues, me Lacion që gjatë kësaj kohe ka fituar gjashtë ndeshje e ka barazuar 2.
Kryesisht, ai ka luajtur titullar në Europa League dhe Kupën e Italisë. Ndërsa ajo ndaj Interit ishte e para e plotë në kampionat që prej gushtit, si pasojë e dëmtimit që ka pësuar Marketi, të cilin Berisha e zëvendësoi që gjatë minutave të fundit të ndeshjes së barazuar 1-1 javën e kaluar të Serisë A, ndaj Sampdorias.
Të dielën në mbrëmje, portieri nr.1 i Kombëtares shqiptare, tregoi formën e mirë që po kalon, veçanërisht në një ndeshje me rëndësi si ajo përballë zikaltërve në San Siro. Megjithëse si përfundim nuk ishte mes atyre me vlerësimin më të lartë nga mediat italiane. Sidoqoftë nuk mund të mohohet kontributi i vyer i gardianit kosovar, veçanërisht në Europa League, ku ka ndihmuar bardhekaltërit për t’u kualifikuar në raundin me eliminim direkt.