Trofeu i kupës së botës është padyshim më i lakmuari nga çdo futbollist. Emra të mëdhenj të historisë së këtij sporti kanë kurorëzuar karrierën e tyre me një triumf në eventin më madhor futbollistik, duke u kujtuar si legjenda.
Messi dhe Cristiano Ronaldo e kanë shkruar historinë e tyre, me nga 5 “Topa të Artë” secili, por për të kompletuar krejtësisht karrierën e tyre, padyshim që do të nevojitej “Kupa e Botës”.
Në Rusi, dy njerëzit që kanë dominuar futbollin në dekadën e fundit, ndoshta do të luajnë shansin e tyre të fundit për të botërorin. Në turneun e ardhshëm, në Katar 2022, ata do të jenë 35 dhe 37 vjeç, ç’ka lë në dyshim pjesëmarrjen apo formën e tyre në atë periudhëm, ndaj në “Rusi 2018”, nga Messi e Ronaldo pritet shumë.
Argjentinasi pati deklaruar se ishte gati të shkëmbente tituj të fituar tek Barcelona për një “Kupë bote”, ndërsa kapiteni i luzitanëve premtoi se skuadra do të japë maksimumin dhe do të kërkojë t’i surprizojë të gjithë në kampionatin evropian.
Magjia e këtyre dy lojtarëve na ka përfshirë në dekadën e fundit dhe sado që vitet ikin e koha kalon, për të gjithë, shpresat tona janë që edhe njëherë tjetër turneu më i rëndësishëm të vendoset pse jo nga rivaliteti Messi-Ronaldo.