Përpara se të gjunjëzohej nga Meksika, Gjermania e bashkuar nuk kishte humbur kurrë ndeshjen e parë të një Botërori. Për të gjetur një precedent të tillë duhet të kthehesh në Kupën e Botës së 1982-shit, kur Gjermania Perëndimore u thye nga Algjeria. Mirëpo ja që këtë herë, gjërat për gjermanët mund të shkojnë më keq.
Precedenti më i freskët flet qartë se kampionët e botës në fuqi, prej 4 edicionesh, praktikisht dalin jashtë që në grupe. I ndodhi Francës në 2002-shin, Italisë në 2010-n dhe Spanjës në 2014-n. Pra, në 3 raste në 4 Botëroët e fundit, kampionët në fuqi janë eleminuar në mënyrë të parakohshme.Përjashtim bën vetëm Brazili në 2006-n, që gjithsesi u eleminua në cerekfinale nga Franca në turneun e zhvilluar në Gjermani. Ky duket se është fati i trishtueshëm i atyre që kthehen për të mbrojtur Kupën e Botës, 4 vjet pasi e kanë fituar.
Për t’u kujtuar është edhe se konfirmi si kampion bote është një mollë thuajse “e ndaluar”, pasi historia thotë se deri tani ia kanë dalë vetëm Italia në 1934-1938 dhe Brazili në 1958-1962. Kurse debutimi me humbje i kampionëve në fuqi nuk është fenomen edhe aq i rallë, pasi deri tani ka ndodhur 6 herë në 21 ediciocionet e deritanishme: Në ’50-n, ’82-shin, ’90-n, 2002-shin, 2014-n dhe 2018-n. Saktësisht më shumë se 25% e rasteve.Gjithësesi, humbja me Meksikën duket se vendos gjermanët me shpatulla pas murit. Ndonëse, ata kanë edhe historinë në krahun e tyre: në 18 pjesëmarrje botërore, plot 17 herë kanë përfunduar ndër 8 të parat. E madje në 13 raste, në 4-shen më të mirë.
Po a do të arrijë të largojnë mallkimin që ka zënë francezët, italianët dhe spanjollët? Nga ajo që u vërejt në fushë ndaj Meksikës, nuk ka shumë vend për optimizëm. Përderisa mbi të gjitha mungoi fryma që ka dalluar gjithmonë Gjermaninë: aftësia, për të transferuar vështirësitë në forcë, gjë që ka bërë gjithmonë diferencën në favor të tyre.