Pavarësisht ecurisë së jashtëzakonshme të këtij sezoni të Mohamed Salah, Hector Cuper është i mendimit se Egjipti nuk duhet të ketë varësi prej tij. Trajneri argjentinas që mundi ta kualifikojë përfaqësuesen e veriut të Afrikës për herë të parë pas 28 vitesh, e thotë këtë duke parë rezultatin që mori Liverpooli në finalen e Kievit. Të kuqtë pas lëndimit të Salahs e panë veten tejet në vështirësi për të synuar portën e Los Blancos. E njëjta situatë u pa edhe në gjysmë-finalen e parë kundër Romës, kur pas daljes së Salahs, Liverpooli u zhbalancua dhe pësoi 2 gola në fund.
Forma e 25-vjecarit ka qenë mbreslënëse, por ai është i lënduar dhe mbetet në mëdyshje për të luajtur ose jo në Rusi. Sidoqoftë Cuper thotë se Egjipti nuk duhet të varet vetëm te ai. “Shpresojmë të mos ndikohemi nga gjendja e Salahs dhe të mundohemi të kemi një skuadër kompakte në Rusi, fatkeqësisht ky është futbolli. Ai është tejet i rëndësishëm për ne, por nëse nuk është në gjendje fizike, do shohim se kush do ta zëvendësojë” – tha Cuper. Momo u përfshi në grupin e 23 lojtarëve megjithëse stafi mjekësor nuk dha garanci të plotë për riaftësimin e tij. Trajneri argjentinas tregoi se problemet me shpatullën dhe lodhjen fizike i kanë kushtëzuar atij stërvitjen, por mbeten optimistë që ai të jetë gati për përballjen me Uruguain më 15 qershor.