Vetëm 1 ditë përpara startit të botërorit “Rusi 2018”, federata spanjolle e futbollit ka shkarkuar nga detyra trajnerin Julen Lopetegui.
Ka qenë vetë presidenti i federatës, Luis Rubiales që ka zyrtarizuar lajmin në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp. Rubiales është shprehur përpara mediave se shkarkimi i Lopeteguit nga detyra vjen për shkak të nënshkrimit të tij me Real Madrid në një moment krejtësisht të papërshtatshëm.
“Kemi vendosur të largojmë trajnerin nga detyra për mënyrën se si veproi në çështjen e firmosjes me Real Madrid. E vlerësojmë punën e tij deri më tani dhe i urojmë fat, por ka gabuar me këto veprime,”-shprehet Rubiales.
Presidenti i federatës spanjolle konfirmoi se vendimi është transmetuar fillimisht tek lojtarët dhe premtoi se do bëhet maksimumi që të kalon ky moment i vështirë, duke qenë se tashmë janë nën ethet e botërorit.
Ndërsa për klubin e Real Madrid, Rubiales nuk preferoi të jepte ndonjë opinion në lidhje me veprimet e “los blancos”, por u përgjigj se federata ka për detyrë të përfaqësojë të gjithë spanjollët, ç’ka tejkalon edhe influencën e kampionëve në fuqi të Evropës. Por ai shton se madrilenët kanë gabuar, pasi për të hyrë në tratativa me të punësuarit e federatës spanjolle, fillimisht duhet të lajmërohet ky institucion, diçka që Real Madrid sipas tij e ka shpërfillur.
Sa i përket ndikimit të këtij vendimi tek performanca e kombëtares spanjolle në botëror, Rubiales e mbylli duke thënë se lojtarët kanë premtuar se do të japin 100% të tyre dhe se kjo situatë e krijuar së fundmi do t’i bëjë më të fortë në rrugëtimin e tyre drejt finales.
Detyrën e lënë bosh nga Lopetegui e merr trajneri i 21-vjeçarëve, Albert Celades, në pritje nëse do të ketë një emërim të ri ose jo për të drejtuar Spanjën përgjatë botërorit.