Fjalët e trajnerit të Manchester City, Pep Guardiola se ai dhe klubi nuk do e pengojnë Leroy Sane të largohet, nëse ky i fundit e dëshiron diçka të tillë, kanë marrë menjëherë një kundërpërgjigje nga ana e Bayern Munich. Kampionët e Gjermanisë e kanë vendosur prej kohësh Sane në qendër të objektivave të tyre dhe drejtori Karl-Heinz Rummenigge u shpreh se Guardiola nuk duhej të ishte shprehur në të atillë mënyrë për lojtarin anësor. Rummenigge shkoi deri aty sa tha që nëse situata vazhdon kështu, atëherë ai do të bëjë maksimumin që sezonin e ardhshëm, Sane të veshë fanellën e kuqe.
Drejtori i Bayern tha gjithashtu se nuk mendon se Pep e di ekzaktësisht se çfarë ndodh me çështjet e merkatos në brendësi të Manchester City, por siguroi se ai dhe drejtuesit e tjerë të bavarezëve do ta konkretizojnë kalimin e Sane drejt ‘Allianz Arena’. Leroy Sane nuk pati shumë minuta prej titullari gjatë sezonit të shkuar dhe kjo nuk i pëlqeu shumë anësorit gjerman. Manchester City pretendon një shifër prej më shumë se 150 milionë eurosh për kartonin e tij. Pavarësisht se shumicën e ndeshjeve i luajti nga stoli, Sane ja doli që me 47 zbritje në fushë, të realizonte 16 gola dhe 18 asiste. Pep Guardiola u shpreh pak ditë më parë se ai e sheh Sanen si një element mjaft të rëndësishëm të skuadrës së tij, por në rast se gjermani nuk ndihet i lumtur tek Manchester City, as trajneri katalanas dhe as ndonjë drejtues tjetër i klubit kampion të Anglisë nuk do ta ndalojë 23-vjeçarin të kompletojë një transferim të tij.