Rumania duket se është ilaç për Azdren Llullakun, i cili gjatë verës la Italinë për të kaluar tek Astra. Goli i parë i sezonit ardhur që në ndeshjen premierë të kampionatit rumun përballë Steauas së Bukureshtit të Kamer Qakës. Sulmuesi e ka festuar ashtu siç ka bërë gjithmonë kur gjente rrjetën në këtë kampionat, pikërisht me simbolin e shqiponjës. Megjithatë, pas asaj që ndodhi në Rusi 2018, me polemikat dhe dënimin e Xhakës dhe Shaqirit, mediat rumune kanë menduar se ky mund të ishte një provokim nga lojtari shqiptar. Vetë Llullaku u ka shpjeguar qetësisht se nuk i frikësohej një pezullimi të mundshëm për festimin e tij. “Unë e kam festuar gjithmonë kështu golin, patriotizmi është diçka që na përket në shqiptarëve. Nuk ishte sfidë ndaj askujt, bëhet fjalë thjesht për një shenjë dalluese për vendin tonë. Nuk kam frikë se mund të më pezullojnë, është vetëm një festim goli që unë e kam bërë gjithmonë”, u shpreh Llullaku pas ndeshjes.
Ndërkohë, veç gëzimit, në të njëjtën ndeshje Astra-Steaua e Bukureshtit, ka pasur edhe një dëshpërim për një tjetër shqiptar. Mesfushori Kamer Qaka, pësoi një dëmtim që u duk mjaft i rëndë. Mirëpo në fakt paniku ka kaluar për lojtarin që shpërtheu në lot, kur ishte duke lënë fushën pas 20 minutash. Lojtari i Kombëtares shqiptare mori një goditje të fortë në gju dhe stafi mjekësor menjëherë bëri shenjë për ndërrim. Pas ndeshjes, mesfushori kuqezi ka mbajtur akull në gjurin e dëmtuar, por ka ecur pa ndihmën e pjesëtarëve të stafit mjekësor. Te Steaua shpresojnë të jetë vetëm një traumë e lehtë në ligament dhe që lojtari të kthehet shpejt. Nga stafi mjekësor pritet që Qaka të jetë gati për ndeshjen e javës së dytë të kampionatit, derbin me Dinamon e Bukureshtit, që luhet më 29 korrik.