Nuk ka shkuar mirë premiera e rastësishme e Rudi Vatës si trajner, në drejtimin e Mouscron. Ish-mbrojtësi i Kombëtares, prej javësh ka marrë detyrën e këshilltarit sportiv në klubin beg. Mirëpo një situatë e çuditshme ka ndodhur te kjo skuadër, aq sa shkodrani është detyruar të drejtojë ekipin në fushë si trajner. Për shkak të një viroze gripale, dyshja e trajnerëve të ekipit elitar belg Bernd Hollerbach dhe Dennis Schmitt, mungonte në sfidën e fundjavës kundër Gent dhe drejtuesit i kanë besuar pankinën pikërisht “këshilltarit”.
Për mediat belge, Vata është shprehur i emocionuar duke treguar se nuk kishte vënë gjum në sy dhe kishte dashur të sqaronte se nuk kishte ardhur për të qenë trajner, por thjesht duhet të zgjidhte situatën ku gjendej skuadra.
Si përfundim, skuadra e Mouscron u mposht 3-1 në transfertë ndaj ish-kampionëve Belgjikës, duke u pozicionuar dhjeti me 27 pikë. Në fund, Vata deklaroi se ishte i kënaqur me paraqitjen e bërë nga të besuarit e tij. Ndërkohë që sipas tij, diferencën e bëri cilësia e lojtarëve të Gentit dhe sidomos zëvendësimet e bëra.