Rudi Garcia (trajner i Lyon):
“Kjo përballje do të jetë krejt ndryshe nga ajo që luajtëm javën e kaluar kundër PSG. E kemi hedhur prapa krahëve atë humbje në finalen e Kupës, për t’u përqendruar në këtë takim që është shumë më i rëndësishëm për të ardhmen tonë. Mund të them se jemi tepër euforikë që do të luajmë këtë ndeshje dhe mjaft të motivuar për të arritur cerekfinalet. Juventusi ka shumë lojtarë të mëdhenj. Për më tepër ka avantazhin që vjen pas një serie të gjatë ndeshjesh zyrtare të luajtura. Gjithsesi ne kemi ardhur për të luajtur me shumë përulësi, por gjithashtu me shumë ambicje. Mbi të gjitha kërkojmë të shfrytëzojmë dobësitë e Juventusit që veçanërisht ka pësuar shumë gola gjatë periudhës së fundit. Zakonisht kur fiton 1-0 takimin e parë, përqindja është më e lartë, por duke parë nivelin e kundërshtarit, është më shumë 50%-50%”.
Memphis Depay (sulmues i Lyon):
“Jam shumë i kënaqur që gjendem sërish pranë skuadrës, pas rikthimit nga dëmtimi. Do të japim gjithcka për të përsëritur paraqitjen e takimit të parë. Jemi një skuadër shumë e mirë dhe nuk duhet të dyshojmë tek talenti ynë. Isha i dëmtuar për një kohë të gjatë. Ndërprerja e aktiviteteve sportive më lejoi të rikthehem në kohë për Champions League. Jam përpjekur të rifitoj ritmin gjatë ndeshjeve të deritanishme që kemi luajtur. Por kjo sfidë me Juventusin në Champions League do të jetë vërtet speciale. Premtojmë se do të japim gjithcka për t’u kualifikuar. Nuk kemi aspak frikë!”.