Ruben Amorim është emëruar zyrtarisht trajner i Manchester United. Lajmi është bërë public nga vetë klubi anglez në kanalin zyrtar. Tekniku portuez ka firmosur një kontratë deri në Qershorin e 2027-tës me 20 herë kampionët e Anglisë, ndërsa punën do e nisë në 11 Nëntor. Mirëpo për debutimin në Teatrin e Ëndrrave, 39 vjeçari duhet të presë 24 Nëntorin, atëherë kur në shtëpi, do të vizitohet nga Ipsëich.
Në krye të United, Ruben Amorim do të pasojë të shkarkuarin Erik Ten Hag, i cili në kampionat, e la skuadrën në vendin e 14 të renditjes. Thënë këtë, misioni i portugezit në ishull do të jetë goxha i vështirë dhe nëse do t’ia dalë apo jo, këtë gjë do të tregojë vetëm koha.
Ajo që mund të thuhet me siguri për Amorim, është trashëgimia që personazhi në fjalë arriti të linte në krye të Sportingut të Lisbonës, teksa arriti ta kthente klubin tek titulli kampion pas plot 19 vitesh, ndërsa në 4 sezonet e fundit, ka triumfuar dy herë në Portugali, duke lënë kësisoj në hije Benficën dhe Porton. Nga largimi i Amorim, Sportingu arkëtoi 10 milionë euro, që u paguan të gjitha nga Manchester United, për shkak të ndërprerjes së kontratës.