Bëri shumë bujë episodi i ngatërrimit të himnit shqiptar me atë të Andorrës, përpara ndeshjes tonë me Francën. Po sikur të mos mjaftonte kaq, u bë protagonist edhe spikeri i stadiumit, i cili u kërkoi falje tifozëve të Armenisë. Pak me vonesë, megjithatë spikeri e korrigjoi dhe kërkoi sërish falje duke thënë se do të niste himni i Shqipërisë pasi ka bërë një tjetër gabim. Ndërkohë, spikeri zyrtar i Kombëtares franceze, ka dashur të dalë publikisht për të kërkuar falje dhe për sqaruar situatën, përmes një intervistë të dhënë për mediat franceze. I njohur thjesht me emrin “Maks”, ai ka rrëfyer se nuk e di as vetë se çfarë ndodhi në atë moment. “E di që kam bërë një gafë të madhe. Fillimisht, Federata më shpjegoi gabimin që ishte bërë me himnin. Prandaj duhej ta menaxhoja këtë situatë pranë fushës. Kisha me mijëra informacione dhe duhet të informoja 80 mijë tifozët që po prisnin. Nuk e dëgjoja veten time se çfarë po thosha dhe më pas, ishte dikush tjetër që më tregoi. Truri im u bllokua, aq u gjendja në një situatë tepër të veçantë”, ka treguar Max.
Ai gjithashtu ka shpjeguar se nuk bëhej fjalë për një detaj të vogël pa rëndësi, por për një situatë që nuk duhet të kishte ndodhur aspak. “Edhe pse kisha mbështetje nga të gjithë, ndihesha i tmerruar, sepse e kam bërë këtë punë për 35 vite mes televizionit dhe radios, por kurrë s’isha gjendur në një situatë të tillë. Për këtë arsye nuk më zuri gjumi për 2 netë me radhë… Aq sa mezi po e prisja ndeshjen me Andorrën që të rikthehesha për të folur dhe për të rregulluar gjithçka. Fatmirësisht, askush nga Federata nuk më priti me pushkë dhe nuk kishte dyshime. Siç thonë futbollistët që përgjigja më e mirë jepet në fushë… Edhe unë bëra pikërisht këtë. Tashmë mund të them se në mendjen time do të jenë kujtimet e ndeshjes së fundit dhe jo të asaj të parafundit”, ka përfunduar spikeri zyrtar i Kombëtares franceze, i njohur me emrin Maks. Gjithsesi, ajo që ndodhi pritet që Francës t’i kushtojë një gjobë nga UEFA.