RRAHMANI, NE FORMACIONIN ME TE MIRE TE JAVES NE SERIE A

Sport

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani vazhdon shkëlqimin me Napoli, skuadër që po vazhdon me formën e lartë këtë edicion, duke marshuar me hapa të sigurt drejt titullit në Serie A. Shenja në këtë sezon mbresëlënës po arrin të lë ylli i Kosovës, Amir Rrahmani. Në 23 ndeshje sa ka zhvilluar gjithsej, ai ka shënuar dy gola dhe po ashtu ka koleksionuar edhe një asist.

Në fitoren e fundit ndaj Atalanta 2:0, kosovari shënoi me kokë. Mirëpo përtej golit, ka qenë paraqitja e tij që ishte për t’u vecuar në atë përballje. Aq sa ka bërë që ai të jetë pjesë në formacionin e javës në Serie A, sa i takon ndeshjeve të vlefshme për javën e 26-të të kampionatit italian të futbollit.

Sikur të mos mjaftonte kaq, vlerësime për mbrojtësin dardan kanë ardhur edhe nga ish-kapiteni i Napolit, Paolo Cannavaro, që ka thurur elozhe për përfaqësuesin e Kosovës. Paraqitjet e bëra nga ana e mbrojtësit dardan kanë marrë vëmendjen e Cannavaros, i cili nuk ka kursyer fjalët e mira për lojtarin e Napolit. “Do të thoja se e shoh veten time te Rrahmani. Ai di të bëjë gjithçka edhe nëse nuk shkëlqen për asgjë. Gjithmonë kam menduar se dhënia e një shembulli ishte më e rëndësishme, sesa shumë fjalë. Kam krijuar ndeshje pas ndeshje, një respekt gjithmonë e më të madh për atë si futbollist”, ka thënë Cannavaro në intervistë të lëshuar për mediat italian. 29-vjeçari është rikthyer në “shtyllë” të mbrojtjes napolitane në dy sezonet e fundit, duke qenë një nga më besnikët e trajnerit Luciano Spalletti. Teksa vec aktivizimeve në kampionat, Rrahmani numëron edhe 4 ndeshje të plota si titullar edhe në këtë edicion të UEFA CHAMPIONS LEAGUE.